Konfirmohet fitorja e Arbër Pajazitit në Bujanoc
Pas zgjedhjeve të 2 qershorit në Komunën e Bujanocit, fitues u shpall Fronti për Ndryshim, udhëhequr nga Arbër Pajaziti.
Në intervistën e tij të fundit për gazetën Nacionale, ai u shpreh se me shumicë votash, është shpallur fitues, por jo zyrtarisht, kanë mbetur të rihapen edhe dy vendvotime.
Rivotimet u mbajtën të enjten, me 13 qershor, ku Pajaziti fitoi me shumicë votash duke u zgjedhur Kryetar i Komunës së Bujanocit.
Në postimin e tij në faqen zyrtare në “Facebook”, Pajaziti ndanë fitoren me ndjekësit, duke i falënderuar për votat dhe besimin ndaj Frontit për Ndryshim.
“Fronti fitoi 🫶
Me rivotimin e sotëm, në dy vendvotime: në Muhoc dhe në njësinë 46 në Bujanoc, qytetarët e Komunës tonë vendosën që ndryshimi politik të fillojë, dhe Fronti t'i prijë bindshëm atij. Prej sot ka shpresë. Sepse qytetarët patën guxim.
Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për Frontin për Ndryshim, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar komunën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.
Përgëzoj partitë e tjera shqiptare që arritën rezultatin për të qenë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.
Sot do të festojmë, e nesër do të punojmë. Bashkë me qytetarët, gjithnjë.
Ju faleminderit nga zemra të gjithëve dhe secilit”, shkruan Pajaziti.
Për Nacionalen, Pajaziti u shpreh se pas zgjedhjes zyrtare si Kryetar, ai do të kërkoj takim me Kryeministrin Kurti me kërkesë që të punojnë së bashku dhe për më shumë mbështetje nga Kosova.