Komiteti i Rajoneve të BE-së heq fusnotën për Kosovën
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR) ka hequr asteriksin për emërtimin e Kosovës në dokumentet e tij.
Gjithashtu, ky komitet ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar AKK se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks*, dhe të përdoret thjesht “Kosovë”. Ky vendim vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare. Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës.”, është thënë në njoftimin e AKK-së.