Komandanti i MSU-së viziton trupat e KFOR-it në Mitrovicë, edhe ato pranë Urës së Ibrit - NACIONALE

Komandanti i MSU-së viziton trupat e KFOR-it në Mitrovicë, edhe ato pranë Urës së Ibrit

2 orë më parë

nga NACIONALE

Komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it (MSU), kolonel Gianfranco Di Fiore, ka vizituar pjesëtarët e kësaj njësie që operojnë në Mitrovicë. Në fotografitë e shpërndara nga KFOR, shihet edhe “Carabinieri’, i vendosur pranë Urës së Ibrit.

Gjatë vizitës, Di Fiore ka vlerësuar profesionalizmin, disiplinën dhe gatishmërinë e trupave, duke theksuar rëndësinë e MSU-së për praninë dhe reagimin e KFOR-it ndaj zhvillimeve të sigurisë.

“Si komandant i MSU-së, jam jashtëzakonisht krenar për profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin që shoh çdo ditë te pjesëtarët tanë. Ata e kuptojnë përgjegjësinë që u është besuar dhe kam besim në gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për ta mbështetur misionin e KFOR-it.”

Di Fiore është takuar gjithashtu me ushtarët e Ekipit Ndërlidhës dhe Monitorues K2, të cilët mbajnë kontakte me përfaqësuesit e komuniteteve në terren.

KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon zbatimin e mandatit të tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe në lirinë e lëvizjes në Kosovë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Ndryshe, javë më parë u paralajmërua hapja e Urës së Ibrit për qarkullimin e lirshëm të veturave, ndërkohë u anulua një takim ndërmjet Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe Komandantit të KFOR-it. Asnjëri nga përgjegjësit nuk dhanë asnjëherë datë të caktuar se kur Ura e Ibrit do të hapet për qarkullim të lirë të veturave.

Lajme të ngjashme