Komandanti i KFOR-it: NATO-ja ka katërfishuar praninë e trupave ushtarake në veri
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha në një intervistë për median serbe “Tanjug” se NATO-ja iu përgjigj shpejt dhunës së fundit në veri duke vendosur edhe 1000 ushtarë dhe automjete të blinduara shtesë.
Ulutash tha se është katërfishuar prania e KFOR-it në veri të Kosovës, si dhe është trefishuar numri i patrullave, duke përfshirë edhe pikat kufitare.
“Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni ynë të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo moment dhe në mënyrë të paanshme”, tha ai, përcjell Klan Kosova.
Gjeneralmajori tha se NATO është fuqishëm e përkushtuar për sigurinë e Kosovës dhe shtoi se KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në përputhje me mandatin e OKB-së.
“KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e sigurisë të nevojshme për përparimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, që është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm”, tha ai.
