Fitorja e LDK-së në Kushtetuese, Abdixhiku e vartësit e tij i gëzohen vendimit: I drejtë dhe i pritshëm - NACIONALE

Fitorja e LDK-së në Kushtetuese, Abdixhiku e vartësit e tij i gëzohen vendimit: I drejtë dhe i pritshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, të cilin e kishte dërguar për shqyrtim Lidhja Demokratike e Kosovës. Pikërisht, zyrtarët më të lartë të kësaj partie, i janë gëzuar lajmit që erdhi nga Gjykata Kushtetuese.

Ishte vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që e komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një shkrim relativisht të gjatë, Abdixhiku shkroi se ishte një vendim i pritshëm dhe i drejtë, pasi ligji ishte në “kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike”.

“Kryeministri e ministrat rend mburreshin me këtë ligj. Kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë. Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj.

Çfarë mend kanë, do të ankohen - sikurse deri më tani - se si një ligj antikushtetues nuk zë vend. Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre.” – shkroi Abdixhiku, transmeton Nacionale.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Abren Gashi, shef i deputetëve të LDK-së. Një një prononcim për Telegrafin, Gashi vlerësoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë dhe i mirëpritur.

“Vendim i drejtë dhe i mirëpritur dhe besoj që është dhe edukues në sistemin tonë që mos të bëhen edhe gabime tjera në të ardhmen të këtij lloji. Gjithsesi ne i kemi dhënë këshilla Qeverisë se si mund të vendosen çmimet tavan për çështje me interes vital për qytetarët, e Qeveria nuk ka dëgjuar dhe është dashur me shpall gjendjen emergjente dhe pastaj me afat të kufizuar me caktu kohën se deri kur mund të vendosen çmime tavan, në mënyrë që të mbrohet interesi i qytetarëve.” – theksoi Gashi për Telegrafin.

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, përmes një përgjigje drejtuar Nacionales ka komentuar rrëzimin e tërësishëm të Projektligjit për Masa të Përkohshme të Produkteve Themelore nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Halimi e ka cilësuar pushtetin e drejtuar nga kryeministri Kurti si “komunist”.

“Për fat të mirë, LDK e parandaloi këtë tendencë të mbrapshtë, e cila do të mund të çonte drejt një oligopoli në tregtinë e produkteve bazike, e cila do të rezultonte shkatërrimtare për bizneset familjar edhe mbarë ekonominë e vendit tonë” – deklaroi Halimi.

Ndërsa Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, vlerësoi se LDK-ja është për ekonomi sociale të tregut. Tutje, ish-kryeministri Hoti vlerësoi se sistemet e komanduara kanë dështuar, ndërsa ata që tentojnë t’i ringjallin ato, “lodhen kot”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson në ekonominë sociale të tregut, në konkurrencën e lirë e në iniciativën private për prosperitet e zhvillim. Sistemet e komanduara kanë dështuar. Ata që tentojnë t'i ringjallin lodhen kot.” – shkroi Hot, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme