Ankohet avokati Koci: Në Gjykatë nuk ka ngrohje, gjykimet të ndërpriten derisa të krijohen kushtet
Avokati i njohur Arianit Koci, ka treguar një fakt shumë shqetësues. Koci sot në Facebook ka shkruar se në sallat e gjykatave, ku mbahen gjykimet nuk ka ngrohje dhe atë qysh nga fillimi i dimrit.
Sipas tij, gjykimet duhet të ndërpriten derisa të bëhet një zgjidhje, meqenëse është e pa mundur të punohet në kushte të tilla.
Tutje Koci ka përshkruar edhe një fakt interesant brenda Pallatit të Drejtësisë, duke treguar se në bufene, ku sherbehen pije e ushqime, ka ngrohje. Krejt kjo sepse “të zotët’ e bufesë, e kanë blerë një kalorifer, dhe kanë krijuar kushte pune e komoditet për klientët.
Shkrimi i plotë i Arianit Kocit:
Në sallë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ka ngrohje qe prej fillimit të sezonës së dimrit.
Në fakt, tash e kuptova që nuk ka në asnjërën sallë.
Kur temperatura është në mëngjes - 3, mbajtja e gjykimeve në këto kushte është farsë.
Katastrofë!
Çka është më e çuditshmja, sa po e shoh, nuk ka reagime publike nga ana e askujt.
Gjykimet duhet të ndërpritën derisa të krijohen kushtet në salla të Gjykatës.
P.s
Ironia është se në bife të Gjykatës, paska ngrohje; e paskan blerë privatisht një kalorifer.