KMDLNj kërkon drejtësi për 11-vjeçaren që u dhunua nga pesë persona
Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut, ka reaguar pasi të shtunën e kaluar një vajzë 11 vjeçare, në parkun e Lagjes Arbëria e pastaj edhe në një lokacion tjetër është dhunuar nga 5 persona, tashmë të identifikuar.
KMDLNJ në reagim theksoi se ky ishte njëri ndër rastet më të rënda të dhunimit prandaj, me të drejtë vuri në lëvizje reagimin zinxhiror të shoqërisë kosovare
“KMDLNj kërkon nga qytetarët që të paraqesin rastet në mënyrë që të parandalohen e jo të merremi vetëm me pasoja siç ishte rasti i fundit. Për caktimin e shkallës së dënimit për të akuzuarit, përgjegjësi ligjore dhe të vetme kanë gjykatat përgjegjëse, pas procedimit të provave”.
“KMDLNj konsideron se reagimet euforike, ato që bëhen nga pozitat e larta politike dhe institucionale janë presion, si në punën e hetuesisë ashtu edhe në vendimmarrjen gjyqësore. Janë jashtë çdo konteksti normal, moral dhe ligjor që të kërkohen zbatim të masave që janë në kundërshtim me shtetin e së drejtës dhe ligjeve në fuqi. Ose duhet t’i besojmë ligjit dhe shtetit, si mbrojtës i të drejtave të njeriut të gjithë qytetarëve ose të drejtës zakonore”.
KMDLNj pret që drejtësia të vendoset në vend për fëmiun e dhunuar të moshës 11 vjeçe dhe për familjen e saj, gjithnjë në përputhje me ligjet në fuqi.