Kimi i Koresë e bën “për hair” veturën që ia dha Putini, mbikëqyr ushtrime ushtarake - NACIONALE

Kimi i Koresë e bën “për hair” veturën që ia dha Putini, mbikëqyr ushtrime ushtarake

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, u vozit publikisht në një veturë që ia ka dhënë presidenti rus, Vladimir Putin, si “dëshmi e qartë” e forcimit të miqësisë mes dy vendeve, raportuan të shtunën mediat shtetërore.

Penjani dhe Moska kanë ndërtuar raporte më të ngushta që nga takimi mes Kimit dhe Putinit në shtator dhe janë zotuar për thellimin e marrëdhënieve ushtarake. Ata i mohojnë akuzat e Perëndimit se Koreja Veriore është duke e furnizuar Rusinë me predha artilerie e raketa që përdoren në luftën e Putinit në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

Vozitja e Kimit në limuzinën ruse “Aurus” të premten është “dëshmi e qartë e miqësisë Kore Veriore – Rusi, që po zhvillohet në një mënyrë gjithëpërfshirëse në një fazë të re të lartë” – tha motra e udhëheqësit korean, Kim Yo Jong, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA.

Kimi i mbikëqyri ushtrimet ushtarake ajrore të premten dhe bëri thirrje për përgatitje "realiste" për luftime, raportoi agjencia KCNA, pas përmbylljes së ushtrimeve të përbashkëta ushtarake këtë javë mes Koresë Jugore e Shteteve të Bashkuara.

“Vetëm trajnimi realist, drejtpërdrejt i ndërlidhur me gjendje lufte, mund të përgatisë ushtarë si luftëtarë të vërtetë të luftës” – tha Kimi, sipas KCNA-së.

Lajme të ngjashme