Kica-Xhelili: Rregullorja e Kuvendit nuk lejon ndryshimin arbitrar të metodës së votimit; propagandues
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se VV nuk kanë të drejtë t’a ndryshojnë formën e votimit nga e hapura në të fshehtë, në mes të procesit.
Ajo ka argumentuar duke u thirrur në Kushtetutë, rregullore e praktika parlamentare.
‘Po silleni si hipokritë, bllokues, propagandues dhe plotësisht të papërgjegjshëm. ‘ – ka shkruar tutje ajo.
E plotë:
JO - nuk kanë të drejtë t’a ndryshojnë formën e votimit nga e hapura në të fshehtë, në MES të procesit. Praktika parlamentare nuk e legjitimon këtë.
Referenca e Kushtetutës në Rregulloren e Kuvendit është një kërkesë imperative, e cila bën që Rregullorja e Kuvendit të ketë fuqi normative. Ajo nuk është vetëm një akt i brendshëm, por një normë ndihmëse kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së Kryetarit.
Se Rregullorja e Kuvendit përcakton standardin e mekanizmave procedural e ka konfirmuar vet Gjykata Kushtetuese pikërisht në lëndën në të cilën po thirret pushteti.
Më saktë, paragrafi 106 po aty, qartëson se derisa Kushtetuta shërben për krijimin e bazamentit strukturorë, Rregullorja e Punës shërben si mekanizëm procedural për implementimin e dispozitave kushtetuese - që nënkupton përcaktimin e formës së votimit.
E Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës - e aq më shumë praktika parlamentare, nuk lejon ndryshimin arbitrar të metodës së votimit pas fillimit të procesit të votimit.
E kur e mendon - ju po thirreni në praktikë të Gjykatës Kushtetuese a?
Po silleni si hipokritë, bllokues, propagandues dhe plotësisht të papërgjegjshëm.