Kica-Xhelili pasi dështoi seanca: Kuorum kishte, por pushteti po kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë - NACIONALE

Kica-Xhelili pasi dështoi seanca: Kuorum kishte, por pushteti po kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili, ka thënë se ka pasur kuorum për të filluar sot seancën pasi ishin 90 deputetë, por sipas saj, mungonin ata të pushtetit.

Kica – Xhelili përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se rregullorja kërkon që seanca të fillojë kur janë prezentë 61 deputetë.

Megjithatë, sipas saj, pushteti po “kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë”.

“Pra, ne kot shkojmë aty, sepse rëndësi ka vetëm 50%-shi i parë (që nuk po arrijnë ta sigurojnë), jo dhe i dyti, dhe e gjithë kjo në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.” – ka thënë ajo.

Ndërkohë, në lidhje me këtë ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar partinë në pushtet, e cila në mënyrë të vazhdueshme po dështon të sigurojë shumicën për mbajtjen e seancave të Kuvendit.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo është papërgjegjësi e skajshme.

Një parti që ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Papërgjegjësi e skajshme. Puna e parë dhe kryesore e deputetëve është miratimi dhe inicimi i nismave ligjore. Jo hajt pak. Jo deklarimet jashtë rendit të ditës. Jo show. Është vend pune. Është kontratë me qytetarin." - ka shkruar Çitaku.

Ndërkaq, seanca e Kuvendit të Kosovës e paraparë që të fillonte nga ora 10:00, është shtyrë për në orën 12:30, pasi mazhoranca, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur t’i mbledhë deputetët.

Kjo u lajmërua nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se mazhoranca “i ka premtuar” se do t’i sjellin deputetët në sallë.

“Mazhoranca nuk po mundet me i mbledhë deputetët, shihemi në orën 12:30, po më premtojnë që kanë me i sjellë deputetët.” – tha ai.

Lajme të ngjashme