Kica-Xhelili: Kam pritur që projektligji për konfiskimin e pasurisë të tërhiqet
Deputetja e pozitës, Doarsa Kica-Xhelili, nga radhët e Listës “Guxo”, ka treguar arsyet e saj në lidhje me abstenimin e saj, për byronë e konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.
Sipas saj, projektligji në fjalë nuk i ka marrë parasysh një pjesë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, që ngritin shqetësimet për shkeljen e të drejtave të njeriut.
“Ka pasë disa elemente në opinionin e Komisionit të Venecias, që prekin të drejtat bazë të njeriut, shfaqin shqetësimet me të drejtat themelore të njeriut. Ngritin dyshime për respektimin e standardit minimal të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar ajo në emisionin “Debat Plus”.
“Si deputete, më duhet patjetër të tentoj ta ndaj rolin tim. Tash unë është e vërtetë jam deputete e pozitës, besoj në një domosdoshmëri për byro për të gjitha problemet që i kemi identifiku, por paralelisht nuk mundem me evitu standardin që unë mendoj duhemi ta mbajmë si Kuvend i Kosovës”, ka vijuar ajo.
Deputetja e pozitës, ka theksuar se ajo ka pritur që projektligji i cili u miratua në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, të tërhiqet, të ripërpunohej dhe pastaj të kthehej përsëri në Kuvendin e Kosovës.
Sipas saj, është e rëndësishme të respektohet kushtetutshmëria dhe të drejtat e njeriut.
“Unë kam pritë që projektligji të tërhiqet të shkojë në miratim të drejtësisë, të rihapet grupi punues, të ftohen ekspertët, të ftohen anëtarë të komisionit të Venecias edhe pse është pak e vështirë, jo të kthehemi në pikën zero, por të përpunohej ai ligj, dhe të shqyrtohej nevoja a mund t'i inkorporojmë rekomandimet e Venecias apo jo, atëherë të vijë në Kuvend”, është shprehur Kica-Xhelili.