Këshilltari i Thaçit: Sipas Prokurorisë Speciale i bie që Jakup Krasniqi është dashur ta vrasë veten
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Ismail Syla, ka thënë se aktakuza e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk ishte në rregull.
Syla në emisionin Pressing në T7, ka thënë se miti i “Shtëpisë së Verdhë” sot ka rënë, duke theksuar se akuzat për trafikime organesh, sot nuk ekzistojnë.
“Sot ishte një ditë e zezë, pas një ditë të bardhë nëse mund të them, ku u marshua për UÇK-në dhe vlerat e luftës sonë çlirimtare. Megjithatë Shtëpia e verdhë sot ra. Shtëpi për të cilin gazeta më e madhe britanike shkroi se kryeministri i Kosovës është i përfshirë në trafikim me organe”, thotë ai.
Syla ka potencuar një rast paradoksal në aktakuzën e lexuar sot nga Specialja, duke thënë se nëse UÇK ka dashur t’i vrasë zyrtarët e LDK-së, i bie se Jakup Krasniqi duhej ta vriste vetën e tij.
“U tha se UÇK u krijua për të eliminuar rivalët politikë në Kosovë, ku flitej për LDK-në. Kjo i bie që Jakup Krasniqi është dashur ta vrasë veten. Nga anëtar i LDK-së, Krasniqi u bë zëdhënës i UÇK-së. Silleshin sikur në Kosovë të mos ekzistonin fare forcat serbe që krijonin masakra ndaj shqiptarëve të Kosovës ”, shtoi ai.
Ish-zëdhënsi i UÇK-së, Jakup Krasniqi ishte anëtar i LDK-së, para se t’i bashkohej Ushtrise Çlirimtare të Kosovës.
