Këshilltari i Kurtit flet për përkrahjen që ShBA e BE ia dhanë Lajçakut: E mbështesin se e kanë emëruar
Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti ka folur rreth përkrahjes që ShBA dhe BE-ja i ka dhënë emisarit evropian, Miroslav Lajçak pas sulmeve nga shefi i Qeverisë së Kosovës.
Zulfaj në “Kanal10”, ka deklaruar që Lajçak u përkrah pasi që është i emëruar i tyre, por Kosova shpërfaqi asimetrinë dhe trajtimin jokorrekt.
“Nuk mund ta quaja pro Lajçak, por sigurisht, është i emëruari i tyre dhe do ta mbështesin. Ne si palë e barabartë në dialog, na duhet ta shpërfaqëim kurdo që hasim në asimetri dhe trajtim jokorrekt e të pabarabartë.” – tha ai.
Tutje, ai ka shtuar se Kurti nuk ka pasur kritika ndaj Lajçakut, por qasjes së tij.
“Ne edhe e kritikojmë, sepse dua të përmirësojmë. S’është kritika ndaj tij, por qasjes së tij në dialog apo të punohet ashtu që Kosova të dalë në një situatë në të cilën nuk është e favorshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.” – tha ai.
Veç tjerash, Zulfaj e komentoi edhe deklaratën e emisarit Gabriel Escobar, duke thënë fillimisht se Kosova nuk i ka një million e gysmë banorë.
“Nuk jemi një million e gjysmë, me sa e di prej regjistrimit, e para. Po nuk besoj që ka të bëjë me atë që ne me ndryshu qasjen transatlantike, ne jemi shtet pro transatlantik. Nuk kemi asnjë kundërthënie në mes të qasjes sonë vlerore, dhe vlerat që i ndajmë me ShBA-të dhe BE-në. Partnerët e vërtetë të ShBA-së e BE-së janë ata që ndajnë vlerat.” – u shpreh ai.