Këshilli Gjyqësor: Rasti i 11 vjeçares nuk ka qenë në gjykatë, Qeveria po tenton të cenojë pavarësinë e gjyqësorit
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se rasti i dyshimit për dhunim në 11 vjeçaren, nuk ka qenë asnjëherë në gjykatë.
Zogaj ka kritikuar Qeverinë, e cila sipas tij e ka targetuar në mënyrë tendencioze sistemin gjyqësor duke tentuar të cënojë pavarësinë e tij.
“Ka diçka që duhet thënë në mënyrë publike dhe të kuptohen qytetarët, ky rast nuk ka qenë asnjëherë në gjykatë, njëri nga 11 të pandehurit që ndodhet sot në gjykatë, pesë për rastin e parë dhe gjashtë në rastin e dytë, është e vërtetë që ka precedent penal dhe ka pasur disa vepra në gjykatë, ka edhe vendime që janë bërë publike sipas komunikatës së Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në njërin prej vendimeve ka një dënim burgu, dhe kush mban përgjegjësinë për mungesën e rehabilitimit të këtij personi, a është Këshilli Gjyqësor ose sistemi gjyqësor për qendrën korrektuese”, ka thënë Zogaj.