Kërkoi rivotim në Kllokot, Gjykata Supreme ia rrëzon ankesën Arbër Eminit
Gjykata Supreme ia ka rrëzuar kërkesën Arbër Eminit për rivotim në Kllokot.
Njoftimi:
Prishtinë, 30 tetor 2025 - Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ZL.A.nr.205-2/2025, të datës 24.10.2025.
Pasi PZAP ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Arbër Eminit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar që “të urdhërohet rivotim për Komunën e Kllokotit, për shkak të shkeljeve të shumta ligjore dhe procedurale gjatë ditës së votimit, moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme Nr.A.A.nr.93/2025 dhe ndërhyrjes së strukturave ilegale serbe në procesin zgjedhor në Kosovë”.
Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar dhe gjeti se konstatimi i PZAP-së, është i drejtë dhe i ligjshëm, “se parashtruesi i ankesës në mbështetje të pretendimeve të tij, nuk ka ofruar dëshmi të qarta dhe bindëse, ashtu siç parashihet në nenin 117 paragrafi 3 të Ligjin Nr.08/L-228 Për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, për çka edhe me të drejtë një ankesë e tillë është refuzuar si e pabazuar”.
Në anën tjetër, kolegji i Gjykatës Supreme, ka vlerësuar edhe pretendimet ankimore të ankuesit që kanë të bëjnë me elemente të kryerjes se veprave penale që janë kryer ditën e zgjedhjeve në Komunën e Kllokotit, të përshkruara në ankesën e ankuesit dhe që sipas tij cenojnë procesin zgjedhor në Kosovë. Mirëpo, për të njëjtat veç ka dhënë sqarimet e duhura PZAP në vendimin e atakuar, ku me të drejtë është theksuar se hetimi dhe vërtetimi i këtyre pretendimeve të natyrës penale nuk bien në kompetencë të PZAP, por në kompetencë të Prokurorisë kompetente (nga shkresat e lëndës rezulton se ankuesi ka deponuar kallëzim penal në Prokurori për pretendimet e tij për dyshimin e kryerjes së veprave penale të përshkruara në ankesë, gjatë ditës së zgjedhjeve në Komunën e Kllokotit).
Si rrjedhojë, sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore të ankuesit nuk kanë pasur bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat për të urdhëruar eventualisht përsëritjen e votimit në vendvotimin e pretenduar.