Kërkohet që monedha 2-euroshe të largohet për një kohë nga qarkullimi në Kosovë
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agimi Shahini, ka propozuar që monedhat 2-euroshe të largohen nga tregu për një kohë të caktuar.
Shahini për Ekonomia Online, ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës do të duhej të bënte më shumë që qytetarët t’i njohin monedhat false.
“Ne duhet t’a dimë se Kosova nuk është prodhuese e monedhës, por importuese. Në kohët e fundit ka pasur disa raste të paraqitura qoftë dy euro, pesëdhjetë euro e të tjera, por që gjithmonë ka pasur falsifikim të parave përmes së cilave synohet fitimi i parasë pa punuar”.
“Ndoshta metoda më e mirë kishte me qenë që për një kohë të caktuar monedha dy euro të tërhiqet nga Banka Qendrore duke e larguar nga tregu, pasi që ne nuk kemi aparat identifikimi, që të njihet ose dallohet nga bizneset ose qytetarët. Kjo metodë kishte me qenë e përshtatshme, por edhe duke i bërë promovim më shumë nga Banka Qendrore që ta njeh qytetari më mirë në përgjithësi.” – ka thënë Shahin.
Kujtojmë se në vazhdimësi raportohen raste të flasifikimi të parave. Monedha më e falsifikuar për këtë vit vazhdon të jetë 2-euroshi.