Kërkohen paraburgim prej 30 ditësh për "A.D", i dyshuar për krime lufte në Kaçanik
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin A.D., nën akuzën për “krim lufte kundër popullsisë civile” në Kaçanik.
Sipas kërkesës, i pandehuri, si pjesëtar i MUP-it serb, dyshohet se më 9 mars 1999 mori pjesë në një aksion kundër civilëve shqiptarë në Kaçanik.
Banorët u dëbuan me forcë nga shtëpitë, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan.
Gjatë operacionit, 91 burra u ndanë nga rreth 400 civilë dhe u dërguan në stacion policor.
Prej tyre, 13 persona u ndaluan dhe, sipas prokurorisë, u “rrahën dhe torturuan në mënyrë brutale”.
Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.