Kërcënimet për greva, Nagavci bën thirrje që mësimi të fillojë më 1 shtator - NACIONALE

Kërcënimet për greva, Nagavci bën thirrje që mësimi të fillojë më 1 shtator

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë thirrje që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator, ashtu siç parashihet sipas kalendarit të miratuar.

Nagavci në një intervistë për Radiotelevizionin Publik, ka thënë se në vazhdimësi i kanë bërë thirrje SBASHK-ut që të përmbahet nga greva, pasi që sipas saj, janë marrë të gjithë hapat që pozita e mësimdhënësve të përmirësohet.

“Si ministre e Arsimit, kemi bërë thirrje vazhdimisht që SBASHK-u të përmbahet nga greva, kemi marrë të gjithë hapat që pozita e mësimdhënësve të përmirësohet. Kërkesa e kahmotshme e SBASHK-ut ka qenë te kërkesa e Ligjit për Paga dhe koeficientit për mësimdhënësit. Ne e kemi bërë të ditur, se projektligji ka dalë në shqyrtim paraprak në institucionet publike, dhe është e qartë që të gjithë mësimdhënësit, jo vetëm që janë pozicionuar mirë, por janë më mirë se në projektligjin e kaluar, për të cilin SBASHK-u kishte dhënë pajtimin, me qeverinë PAN në atë kohë”, ka thënë ajo.

Mes tjerash, Nagavci tha se SBASHK-u po e shfrytëzon fillimin e vitit të ri shkollor për interesa të ngushta, pasi që sipas saj, kërcënimet për greva po vijnë nga kryesia e kësaj sindikate.

“SBASHK-u të mos e shfrytëzojë këtë fillim të vitit të ri shkollor, të mos e shfrytëzojë për interesa të ngushta. Unë mendoj që kjo ka ardhë prej kryesisë së SBASHK-ut, e jo nga mbledhjet në nivel të shkollave, komunave. Kjo ka shkuar anasjelltas, prej kryesisë, ka shku te anëtarësia”, ka thënë ajo.

Pyetur nëse pret që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator, Nagavci bëri thirrje që kjo të ndodhë.

“Unë pres dhe bëj thirrje që të filloj viti i ri shkollor, kalendarin e kemi miratuar”, tha ajo.

Lajme të ngjashme