Këmbimi i pronave, reagon Rama: Nuk këmbehen 8 hektarë me tërë parcelën 20-hektarëshe, por veç me një pjesë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj hulumtimit të Kohës, i cili flet për një proces të këmbimit të një prone komunale me dy pronarë privat.
I pari i Prishtinës ka sqaruar se prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një pjesë të pronës rreth 20 hektarëshe.
Sipas tij, vendimi i asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është raportuar në media,
“Gjatë ditës së djeshme është raportuar për një proces të këmbimit të një prone komunale me dy pronarë privat. Dua të sqaroj për qytetarët se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit, i cili vendim ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e specifikon që prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një PJESË të pronës rreth 20 hektarëshe. Pra, vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është keqraportuar në media”, ka shkruar Rama, duke dhënë detaje tjera.
“Këtë PJESË të vlerësimit të pronave, nuk e përcaktoj as unë si Kryetar e as Kuvendi i Kryeqytetit, por e përcakton Ministria e Financave në bazë të kritereve për vlerësim të pronave të definuara me legjislacion. Komuna e Prishtinës ashtu siç vepron në secilën procedurë të këmbimit të pronave, do ta bëjë ekzekutimin e vendimit në bazë të vlerësimit final që do ta marrë nga Ministria e Financave. Në fund, ju bëj thirrje medieve për raportim objektiv dhe korrekt dhe të shmangin keqinformimet e tilla, që duken se kanë tendencë negative, kundër qeverisjes në Kryeqytet”, ka shkruar ai.