"Këmbët e Gjarpërit", Mirena: Qe një version tjetër i primitivit Ardian Rrusta, Veton Surroi
Pas debatit të ngritur sot nga ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Ismail Syla, për librin "Këmbët e Gjarpërit" të publicistit Veton Surroi, analisti Ilir Mirena postoi një pjesë të librit në llogarinë e tij në Facebook, duke theksuar se kjo pjesë tregon një version tjetër të "primitivit Ardian Rrusta, Veton Surroi".
Në pjesën e shkëputur nga libri, të postuar nga Mirena, Surroi shkruan se si historia e Kosovës mund të kishte dukur ndryshe po të kishte mbetur në shkollën e mesme të Drenasit arsimtari i historisë, Jakup Krasniqi apo Hashim Thaçi në Malishevë.
“Kjo histori, historia e Kosovës, ka mundur të dukej ndryshe po të kishte vendosur, ashtu siç nuk deshi, në pranverë të vitit 1999, Haxhim Thaçi të bëhej arsimtar i saj, i historisë, në Malishevë. Historia do të dukej ndryshe, gjithsesi, po të kishte mbetur në shkollën e mesme të Drenasit arsimtari i historisë, Jakup Krasniqi.” – shkruhet aty mes tjerash.
Sipas Sylës, libri është një sulm më brutal dhe më barabar ndaj Drenicës, duke i konsideruar fyerjet që ua bënë liderëve të kësaj rajoni si qenie subhumane, nën njerëzore.
“Libri i Veton Surroit, “Këmbët e Gjarprit”, është sulmi më brutal dhe më barabar që i është bërë Drenicës ndonjëherë në 70 vjeçarin e fundit sepse në librin e tij ai arrin që për 3 figura të UÇK-së që janë nga Drenica, fyerjet që ua bënë liderëve të Drenicës i konsideron si qenie subhumane, nën njerëzore.” - ka thënë Syla.
Syla e Mirena rikthyen edhe njëherë në vëmendje librin "Këmbët e Gjarprit" të Surroit, i cili shkaktoi debate të forta në Kosovë dhe në rajon për kritikat e tij ndaj krijimit të shtetit të Kosovës dhe klasës politike të vendit.