Kasolli komenton intervistën e Drashkoviq: Duket se politikani serb tenton ta amnistojë Millosheviqin - NACIONALE

Kasolli komenton intervistën e Drashkoviq: Duket se politikani serb tenton ta amnistojë Millosheviqin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Analisti politik Afrim Kasolli, ka komentuar një pjesë të shkëputur të inervistës së politikanit e shkrimtarit serb, Vuk Drashkoviq, dhënë për gazetarin Berat Buzhala. Intervista e cila deri më tani është transmetuar në Nacioanale, vetëm në disa pjesë të shkëputura, ndërsa e plotë do të transmetohet këtë të hënë.

Analisti Kasolli duke komentuar deklaratën e Drashkoviq, ku thotë se Millosheviq, e ka parë një “shans” te bombardimet e NATO-s, për tu “shfajsuar” të serbët për Kosovën. E se e gjitha kjo ishte një “skemë” e tij për pushtet, ka thënë se është shumë problematike edhe në aspektim moral, por edhe sa i përket të vërtetës, sidomos kur kihen parasyshë referencat në librat serb të asaj kohe.

Sipas Kasollit, në fakt “projekti” i Millosheviq, ishte i trasuar edhe nga paraardhësit e tij, e që qëllim kishin spastrimin etnik të Kosovës. Kjo sipas tij është e vërteta për ngjarjet e asaj kohe në Kosovë e Serbi, e jo ndonjë taktike, e izoluar politike.

E plotë:

Ndonëse mbetet të shihet e plotë, por nga sekuencat e transmetuara deri më tani, në një interviste për një media kosovare, shkrimtari dhe politikani serb Vuk Drašković, ndër të tjera paska deklaruar, se ish-lideri serb Slobodan Milošević, e ka parë një shans tek bombat e NATO-së, për ta hequr qafe Kosovën, që ta humbiste atë, por që në këtë mënyrë serbët të mos e akuzonin për këtë disfatë.

Një pohim i tillë mbetet problematik, qoftë sa i përket të vërtetës historike ashtu edhe në aspektin moral. Madje, në këtë mënyrë, duket sikur Drašković-i, tenton ta amnistojë ish-presidentin e ish-Federatës Jugosllave, se ai vetëm e paska pritur rastin të çlirohet nga Kosova, por nuk ka mundur se si ta gjejë rrugën ku e kishte futur vetën, për shkak të presionit të popullit serb, e të mos mbetet fajtor para tyre.

Mirëpo , nëse i referohemi disa librave historikë që janë shkruar për atë kohë, si dhe dëshmive të disa prej akterëve tjerë që qenë të involvuar drejtpërdrejtë në atë proces, mund të shihet se Milošević-i, në këtë rast kishte kalkuluar krejt diçka tjetër. Se NATO me të filluar sulmet, pas pak kohe, nuk do të ishte në gjendje ta ruante unitetin, (ngjashëm sikur se Putini sot në Ukrainë, ku një pjesë të shpresave i kishte varur të përçarjet trans-atlantike), dhe se me të filluar bombardimet, për shkak të këtyre tensioneve, ajo të detyrohej ta ndalte fushatën ajrore kundër Serbisë.

Madje, këtu kalkulonte në masë të madhe të dështimi i Gjermanisë, sepse në atë kohë sapo kishte ardhur në pushtet koalicioni ndërmjet socialdemokratëve dhe të gjelbërve. E, siç dihet këta të fundit ishin kategorik kundër luftës. Dhe jo pak kush e kishte pasur këtë frikë në atë kohë. Kushdo që e ka lexuar vetëm librin “Vitet kuq e gjelbër” të ish- ministrit të punëve të Jashtme të Gjermanisë, J.Fischer, do ta shoh se në çfarë tensioni pat kaluar atëbotë ai koalicion qeveritar, për shkak të kundërshtimit të luftës nga aktivistët e partisë ekologjike.

Ndërkohë, po ashtu nëpërmjet prodhimit të krizës humanitare të refugjatëve, lideri serb mendonte t’i destabilizonte vendet fqinje dhe atë kryesisht Maqedoninë, duke e zhvendosur kështu presionin krizës në një shtet tjetër, jashtë Serbisë dhe duke e detyruar NATO-n. si dhe fuqitë perëndimore të menaxhonin kriza me akute.

E pasi të ishin arritur këto efekte, atëherë NATO do të detyrohej ta ndalonte fushatën ajrore, e të negocionte me të në kërkim të një zgjidhje politike, çfarë do t’ia mundësonte Milošević-i, ta përjetësonte sundimin serb mbi Kosovën, fillimisht duke e penguar një pjesë të refugjatëve që të ktheheshin në shtëpitë e tyre, ku edhe do ta kishte me lehtë administrimin e me pak se një milionë shqiptarëve. Pra ai veprimi i tij për të hyrë ne luftë me NATO-në mund të jetë nxitur edhe nga dëshira, jo si të çlirohej nga Kosova, por si ta jetësonte me në fund atë që nuk e kishin realizuar paraardhësit para tij, spastrimin etnik të Kosovës. Prandaj, në këtë rast e pa shansin e fundit të projektit hegjemonist nacionalist serb.

Mirëpo, këto hesape i dolën gabim dhe ngjarjet historike morën atë rrjedhë që dihet nga të gjithë ne.

Lajme të ngjashme