Kasolli ka një pyetje për PDK-në: A po e tradhtojnë politikisht Thaçin për Kurtin rreth Asociacionit?
Filozofi dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka vërejtur një anomali dukshëm të çuditshme te Partia Demokratike e Kosovës, të cilët po e kundërshtojnë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo që po e bën Asociacionin në vetvetem “por vetëm për mënyrat e kundërshtimit të Asociacionit nga Albin Kurti deri më tani”.
Kasolli rikujton që vetë qëndrimi i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte që assesi nuk duhet të themelohet Asociacioni pa njohje të Kosovës nga Serbia.
Reagimi i Kasollit:
A po tradhton politikisht PDK-ja Hashim Thaçin për Albin Kurtin?
Ka ditë që zyrtarët e PDK-së janë duke e kritikuar Kryeministrin Kurti për pajtimin e themelimit të Asociacionit. Por sipas tyre, ata nuk janë kritikë për Asociacionin per se (pra në vetvete), por për mënyrat e kundërshtimit të tij nga Albin Kurti deri më tani. Apo se ky është obligim ndërkombëtar dhe nuk ka qeveri që mund ta shmang. Prandaj, si formacion politik janë të gatshëm t’i ndihmojnë qeverisë për ta përmbushur këtë obligim.
Mbetet paradoksale kjo gatishmëri, vullnet dhe përkushtim i PDK për t’i ndihmuar Albin Kurtit në themelin e Asociacionit, entitet ky kur jo më larg se para tri vitesh, ish-presidenti Thaçi e kritikonte me tonet më të ashpra politike dhe shtetërore. Në disa intervista në vitin 2020 duke folur për mundësinë themelimit të tij, ish-i pari i shtetit pat deklaruar “ se krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe pa njohje në Kosovë do të ishte gabim i madh dhe nisje e shpërbërjes së shtetit nga brenda. Asociacioni nënkupton Republikën Serbe në Kosovë. Dhe asnjë njeri në token e Kosovës nuk ka të drejtë të diskutojë për këtë Bashkësi”
Me këtë rast, është befasuese lehtësia me të cilën sot zyrtarët e PDK-së janë më afër qëndrimit të Albin Kurtit për themelimin e Asociacionit, sepse ata nuk janë kundër tij në vetvete, sesa të atij të Hashim Thaçit dje që ishte veçanërisht kundër skenarit të Asociacionit pa njohje. Apo mbase kanë filluar t’i besojnë kryeministrit më shumë sesa ai vetvetes, se me këtë pranim Kosova po e përfiton njohjen de facto nga Serbia? Prandaj, edhe është i tejkaluar qëndrimi kundërshtues i ish-presidentit Thaçi.