Kandidati për kryetar të LDK-së ankohet: Partia nuk m’i ka ofruar listat e delegatëve
Fanton Bislimi, i cili ka publikuar kandidaturën për kryetar të LDK-së, është ankuar në strukturat e kësaj partie.
Ai ka bërë me dije se janë bërë pesë ditë që kur ka dorëzuar në mënyrë zyrtare kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së në Kuvendin e Dhjetë Zgjedhor, i cili do të mbahet të dielën, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga partia.
Në profilin e tij në “Facebook”, Bislimi ka shkruar se deri me tani partia nuk ia ka ofruar listën e delegatëve dhe kontaktet e tyre.
“Të nderuar Delegatë të Kuvendit X të LDK-së, Siç e dini, sot janë bërë pesë ditë që nga dita kur i kam dorëzuar Kryesisë së LDK-së shkresën zyrtare përmes së cilës i kam njoftuar me vendimin tim për të paraqitur kandidaturën time për Kryetar të LDK-së në Kuvendin e Dhjetë Zgjedhor. Në atë shkresë, kam kërkuar që të më ofrohet edhe lista e delegatëve dhe kontaktet e tyre, ashtu që ndaja me ta programin dhe vizionin tim për LDK-në. Deri në këto momente, as nuk kam pranuar përgjigje zyrtare nga LDK, e as nuk më është dhënë çasje për të kontaktuar delegatët!”, ka shkruar Bislimi.
Sipas tij, kjo sjell nuk i shkon LDK-së si parti institucionaliste.
“Kjo është sjellje e papranueshme për një parti institucionaliste si LDK-ja! Sidoqoftë, unë po e publikoj këtu ofertën time për LDK-në dhe uroj që delegatët e Kuvendit të 19 Nëntorit ta marrin një kopje nga linku”, ka shkruar Bislimi.