Kanceri i gjirit – 430 raste u diagnostikuan në vitin 2021 në Kosovë
Në kudër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, po debatohet për betejën me kancerin në Kosovë.
Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka folur për numrin e rasteve më kancer të gjirit në Kosovë.
Sipas Kurtishit, prej vitit në vit, numri i rasteve me kancer të gjirit ka pasur rritje prej 3 deri në 5 për qind.
“Realisht, sa kam qenë unë në klinikë, prej vitit në vit kemi pasur rritje prej dikund 3 deri 5%, me përjashtim të vitit pandemik, kur kemi pasur numër më të vogël për arsye të moslajmërimit të femrave, por, në përgjithësi, të qytetarëve për shkak të frikës nga COVID-19 dhe ndalesës së disa shërbimeve”,- ka thënë Kurtishi.
Në vitin 2021, numri i grave të diagnostikuara me kancer ka qenë 420 deri në 430.
“Në bazë të të dhënave të ShSKUK-së, numri në vitin 2021 ka qenë rreth 420 apo 430 femra të diagnostikuara me kancer. Por ky numër mund të jetë diçka më i lartë, sepse kemi femra të cilat nuk lajmërohen në klinikë te ne, por marrin trajtim jashtë Kosovës”, – ka thënë tutje Kurtishi.
Ai ka thënë se në Kosovë ka një trend të rritjes së rasteve si në të gjitha vendet e rajonit.
Sipas ish-drejtorit të Onkologjisë, kanceri i gjirit e zë vendin e parë prej tumoreve në përgjithësi në Kosovë.