Kamala Harris thotë se mund të garojë prapë për presidente të ShBA-së më 2028 - NACIONALE

Kamala Harris thotë se mund të garojë prapë për presidente të ShBA-së më 2028

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, e cila ishte edhe e nominuar e Partisë Demokratike si kandidate për presidente në zgjedhjet e vitit 2024, tha të premten se po e shqyrtonte pjesëmarrjen në këtë garë edhe më 2028.

Duke u paraqitur në Rrjetin Kombëtar të Veprimit, organizatë për të drejta civile e themeluar nga Reverend Al Sharpton, zonja Harris u pyet drejtpërdrejt nga Sharptoni nëse ajo do të garonte përsëri për presidente, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Mundem, mundem. Jam duke menduar për këtë, jam duke menduar” – tha ish-nënpresidentja, përderisa audienca lëshoi zëra gëzimi.

Harrisi shtoi se do ta shqyrtojë vendimin në kontekstin se kush, më 2028, do të mund ta bënte punën më të mirë si president “për popullin amerikan”.

Ajo i humbi zgjedhjet e vitit 2024 përballë presidentit aktual, Donald Trump, i cili triumfoi edhe me votë popullore, edhe në Kolegjin Zgjedhor.

Zonja Harris, përpos si nënpresidente, më parë ka shërbyer edhe si senatore dhe kryeprokurore e Kalifornisë.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2028 mund të sjellë sfida për të në mesin e votuesve, të cilët kanë dhënë shenja në sondazhe se duan të shohin udhëheqës të rinj në garë si përfaqësues të Partisë Demokratike pas humbjes së Harrisit në zgjedhjet e kaluara.

Lajme të ngjashme