“Ju faleminderit e të fala”: Kurti mesazh për shqiptarët që jetojnë në Serbi, u bën thirrje të regjistrohen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar shqiptarët të cilët jetojnë në Serbi që të regjistrohen në procesin që fillon sot, e zgjatë deri më 31 tetor.
Kurti në një videomesazh të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se shqiptarët në Serbi po përballen me diskriminim kombëtar e njerëzor, e së fundi edhe me pasivizim të adresave të tyre.
"Nga sot në tërë Serbinë, të dashur qytetarë shqiptarë, fillon regjistrimi i popullsisë dhe i pasurive. Shqiptarët që jetojnë në Serbi, në vazhdimësi përballen me diskriminim kombëtar dhe njerëzor, e së fundi edhe me pasivizim të adresave të tyre. Prandaj regjistrimi që fillon sot e përfundon më 31 tetor, për shqiptarët nuk është vetëm statisitikë”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti ftoi shqiptarët që jetojnë atje t’i përgjiegjen regjistrimit.
“Ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, veçanërisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që t’i përgjigjeni regjistruesve duke regjistruar vetën e familjarët, shtypjes, ju ftoj që t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar, edhe ata që gjinden me banim në Kosovë e diasporë”, ka thënë ai.
Në fund të videomesazhit, kryeministri deklaroi “ju faleminderit e shumë të fala”.
