Jasharaj: Do ta padisim Hekuran Muratin nëse s’i lëshon pagat
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka paralajmëruar padi ndaj ministrit të Financave, Hekuran Muratit, nëse pagat nuk do të ekzekutohen deri të mërkurën.
“Ne i kemi dërguar një shkresë ministrit Murati ku ai do të gjejë argument dhe të thotë se pagat në arsim nuk do të merren për këtë arsye, dhe mandej ne do të marrim hapat ligjorë, do t’i drejtohemi institucioneve të drejtësisë, sepse ashtu kështu nga ne zotëri Murati e ka një kallëzim penal, dhe do ta ketë edhe një të tillë”, tha Jasharaj.
Pretekst për këtë sipas Jashari është ekzekutimi i pagave për sektorin publik të cilët poashtu kanë qenë në grevë, ndërsa kjo për mësimdhënësit është thikë pas shpine.
“Të gjithë anëtarët e SBAShK-ut këtë veprim e kanë konsideruar si thikë pas shpine sepse ne menxi e arritëm ta fitojmë numrin e duhur për pezullim dhe duke pritur se do të kemi mesazhe urime nga kryeministri Kurti e sidomos nga ministrja Nagavci për fillimin e vitit të ri shkollor, por ndodhi diçka e papritur dhe joligjore, madje edhe jo humane, ngase në grevë ishin edhe shërbyesit civil të cilët u proceduan pagat, ndërsa në sektorin e arsimit jo, dhe kjo nuk mund të shihet ndryshe përveç tendenca e vazhduar e Kurtit që të ngulfasë dhe ta shuaj sindikatën më të fortë në Kosovë që ka respekt nga niveli ndërkombëtar”, tha Jashari, për EO.
Ai po ashtu ka aluduar se presioni që i është bëre SBASHK-ut, është për të vetëm arsye që të shtypin sindikatën e arsimit.
“Më duket që e ka edhe këtë ide që të shuhet çdo zë sindikal dhe fokusi e ka tek ne sepse e di që jemi sindikata më e madhe numerikisht por që kemi mbështetje edhe nga unioni i sindikatave të Evropës. Mbase ata mendojnë se me të thyer të SBAShK-ut, sindikatat tjera janë më të vogla dhe do të marrin mësim dhe nuk do të guxojnë që të marrin veprime sindikale”, ka thënë Jasharaj.