Janina Ymeri falënderon votuesit: 20 mijë vota më japin përgjegjësi
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, Janina Ymeri, ka falënderuar qytetarët për rreth 20 mijë vota besimi, teksa po i afrohet fundit procesi i numërimit të votave.
Përmes një postimi publik, Ymeri ka theksuar se ky rezultat rrëzon disa stereotipe të rrënjosura në politikën kosovare, sipas të cilave pa para, pa mbështetje mediatike apo pa premtime boshe nuk mund të arrihet sukses elektoral.
Ajo ka vlerësuar se votat e marra i ndien më shumë si përgjegjësi sesa privilegj, sidomos në një kohë kur Kosova përballet me vështirësi ekonomike dhe emigrim të lartë. Ymeri ka premtuar angazhim të përditshëm, edhe nga opozita, për të ringjallur shpresën te rinia dhe për të ndikuar që qytetarët të jetojnë me dinjitet në Kosovë.
Në postimin e saj, Ymeri ka falënderuar familjen, miqtë dhe aktivistët që e kanë mbështetur që nga fillimi, si dhe Degën e LDK-së në Ferizaj, të udhëhequr nga Visar Azemi, për organizimin dhe punën në terren. Ajo ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për deputeten Hykmete Bajrami, për mbështetjen ndaj kuadrove të reja dhe grave në politikë.