Jakurti i VV-së: Rritja e pagave lajm i mirë, tani duhet të kaloj projektligji për rritjen e pagës minimale
Ekonomisti, njëherësh edhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Edison Jakurti, thotë se është lajm i mirë rritja e pagave në sektorin publik.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se kjo e zvogëlon pabarazinë, mirëpo sipas tij tani duhet që Kuvendi i Kosovës të kalojë projektligjin për rritjen e pagës minimale.
“Rritja e pagave dhe zvogëlimi i pabarazisë në paga në sektorin publik është lajm i mirë për të gjithë. Tani, Kuvendi nuk duhet të humb më shumë kohë por ta kalojë projektligjin për rritjen e pagës minimale, gjë që ka rëndësi thelbësore për sektorin privat”, - ka shkruar Jakurti.
Kujtojmë se projektligji për rritjen e pagës minimale ka kaluar vitin e kaluar në parim në qershorin e vitit të kaluar, por ende nuk ka ardhur në lexim të dytë.

