Izraeli thotë se ka vrarë edhe një komandant tjetër të Hezbollahut - NACIONALE

Izraeli thotë se ka vrarë edhe një komandant tjetër të Hezbollahut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë një komandant të Hezbollahut gjatë një sulmi të hënën në zonën e Bejrutit.

Sipas ushtrisë, bëhet fjalë për Suhail Hussein Husseini-n, që kishte luajtur rol “jetik” në transportimin e armëve mes Iranit dhe Hezbollahut. Grupi libanez nuk e ka konfirmuar ende vdekjen e tij, raporton televizioni BBC.

Thuhet se Husseini gjithashtu kishte bashkërenduar sulme kundër Izraelit nga Libani dhe Siria dhe ishte anëtar i Këshillit Xhihadi të Hezbollahut.

Mbrëmjen e kaluar u dëgjuan më shumë shpërthime në kryeqytetin e Libanit, ndërsa mediat libaneze raportuan për të paktën dhjetë sulme në Dahieh, periferi jugore e Bejrutit, që cilësohet bastion i Hezbollahut.

Në veri të Izraelit, sirenat e alarmit për sulme ajrore vazhduan të aktivizoheshin gjatë natës dhe disa qyteza të tjera u shpallën zona të mbyllura ushtarake.

Hezbollahu tha më herët se e kishte vënë në shënjestër periferinë e Tel-Avivit me raketa, ndërsa Izraeli tha se Hezbollahu hodhi 190 predha deri të hënën vonë.

Lajme të ngjashme