Izraeli kryen sulme të reja në Iran, Teherani duket se hodhi vetëm një raketë
Forca Ajrore e Izraelit tha se të hënën në mëngjes ishte duke e vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake në Kermanshah, në pjesën perëndimore të Iranit.
Gjatë natës, 20 aeroplanë luftarakë izraelitë ishin në aksion, duke goditur objekte për mbajtjen dhe hedhjen e raketave si dhe sisteme radarësh e sisteme satelitore, raporton televizioni BBC.
Izraeli është zotuar se do t’i vazhdojë sulmet ndaj Iranit për ta kufizuar më tej kapacitetin iranian të raketave balistike dhe sulmet e mbrëmshme raportohet të jenë ndër më intensivet që nga fillimi i konfliktit.
Irani duket se hodhi vetëm një raketë drejt Izraelit gjatë natës. Rreth orës 3 të mëngjesit u aktivizua një alarm për sulm ajror.
Zyrtarët izraelitë thonë se raketa u rrëzua nga një sistem amerikan i mbrojtjes ajrore, simbol tjetër i mbështetjes nga ShBA-ja dhe ndoshta një shenjë se sa të ngarkuara janë sistemet izraelite të mbrojtjes.
Një dron i vetëm iranian gjithashtu u rrëzua të hënën në mëngjes afër qytetit Eilat, në skajin jugor të Izraelit.
Kundërpërgjigja deri më tani e kufizuar e Iranit mund të tregojë se sa i varfëruar është kapaciteti i tij pas dhjetë ditëve të sulmeve izraelite ose udhëheqja iraniane po kalon kohë duke e shqyrtuar hapin e radhës për atë se si ta kryejë hakmarrjen që e ka premtuar ndaj bombardimit nga forcat amerikane, thekson televizioni britanik.