Izraeli hedh predhë mortaje drejt një zone banimi në Gaza, të paktën 10 të plagosur
Trupat izraelite hodhën një predhë mortaje matanë vijës së armëpushimit, drejt një zone palestineze të banimit në Rripin e Gazës, në incidentin më të ri që e testoi armëpushimin e brishtë me Hamasin.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se të paktën dhjetë njerëz u plagosën në këtë rast. Ushtria izraelite tha se po zhvillonte një hetim, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ushtria nuk tregoi se çfarë ishin duke bërë trupat ose nëse ata e kishin kaluar vijën për të cilën është arritur marrëveshje. Sidoqoftë, tha se mortaja kishte pësuar ndryshim të drejtimit nga caku i synuar, të cilin nuk e saktësoi.
Fadel Naeem, drejtor i spitalit “Al-Ahli”, tha se ky spital pranoi dhjetë persona të plagosur nga sulmi që ndodhi në pjesën qendrore të qytetit Gaza dhe se disa prej tyre ishin në gjendje kritike.
Kjo nuk është hera e parë që zjarri izraelit prek njerëz matanë asaj që njihet si Vija e Verdhë që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë kanë raportuar më shumë se 370 vdekje nga zjarri izraelit që nga ajo datë.
Izraeli thotë se ka hapur zjarr si kundërpërgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Hamasi dhe thotë se shumica e të vrarëve ishin militantë të këtij grupi.
Megjithatë, një zyrtar ushtarak izraelit, duke folur në kushte anonimiteti sipas protokollit ushtarak, tha se ushtria është e vetëdijshme për një numër incidentesh ku janë vrarë civilë, përfshirë fëmijë të vegjël dhe një familje që po udhëtonte me një minibus./Nacionale