Izraeli e miraton planin për ta marrë nën kontroll Qytetin Gaza
Kabineti politik i sigurisë i Izraelit miratoi të premten herët një plan për ta marrë nën kontroll Qytetin Gaza, përderisa vendi po i zgjeron operacionet ushtarake pavarësisht nga shpeshtimi i kritikave brenda dhe jashtë vendit për luftën shkatërruese gati dyvjeçare.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit do ta marrin kontrollin e Qytetit Gaza, ndërkohë duke i ofruar ndihmë humanitare popullsisë civile jashtë zonave të luftimeve” – tha në një deklaratë zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, raporton agjencia e lajmeve “Reueters”.
Përderisa Netanyahu tha të enjten se Izraeli synon që ta marrë nën kontroll tërë Rripin e Gazës, plani i miratuar të premten përqendrohet në mënyrë specifike në Qytetin Gaza, qyteti më i madh i enklavës, i cili ndodhet në pjesën veriore të saj.
Reporteri i mediumit amerikan “Axios”, Barak David, duke cituar një zyrtar izraelit, tha në rrjetin X se në këtë plan përfshihen evakuimi i civilëve palestinezë nga Qyteti Gaza dhe fillimi i një ofensive tokësore atje.
Kur u pyet nëse Izraeli do ta marrë nën kontroll tërë enklavën, Netanyahu në një intervistë në televizionin “Fox News” të enjten tha: “Ne e synojmë këtë.”
Megjithatë, ai shtoi se Izraeli dëshiron që t’ua dorëzojë territorin forcave arabe që do ta qeverisin atë. Netanyahu nuk dha hollësi rreth çështjeve të qeverisjes ose për atë se cilat shtete arabe do të përfshiheshin në proces.
“Ne nuk duam që ta mbajmë atë (Gazën). Ne duam që të kemi një perimetër të sigurisë. Ne nuk duam që ta qeverisim atë. Ne nuk duam që të jemi atje si organ qeverisës” – shtoi kryeministri izraelit.
Paralajmërime për evakuime mund t’u lëshohen palestinezëve në zona specifike të Gazës, duke u dhënë atyre potencialisht disa javë kohë para se të futet ushtria, tha një burim qeveritar në kushte anonimiteti./Nacionale