Ish-presidenti Trump e zyrtarizon kandidaturën për zgjedhjet e vitit 2024
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të martën në mbrëmje se do ta kërkojë nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke synuar që të bëhet presidenti i parë amerikan me dy mandate jo të vazhduara njëra menjëherë pas tjetrës.
“Për ta bërë Amerikën të madhe e të lavdishme përsëri, sonte po e njoftoj kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara” – tha ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë para një turme të njerëzve të grumbulluar para rezidencës së tij, “Mar-a-Lago”, në Florida.
Kandidatura e tij vjen pas rezultateve jo të kënaqshme të Partisë Republikane në zgjedhjet për Kongres, në të cilat e humbën garën disa kandidatë të përkrahur nga ai. Republikanët kanë dështuar që ta marrin shumicën në Senat dhe ende zyrtarisht nuk e kanë siguruar shumicën as në Dhomën e Përfaqësuesve, ku, megjithatë, kanë më shumë gjasa, por jo me dallim shumë të madh të numrit të ligjvënësve me Partinë Demokratike.
Përpos rivalëve të mundshëm brenda Partisë Republikane, ish-presidenti Trump ka edhe një sfidë tjetër: një komision i Dhomës së Përfaqësuesve po i vazhdon hetimet për rolin e tij në trazirat e 6 janarit të vitit të kaluar dhe zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë po e shqyrtojnë mundësinë që ndaj tij të ngrihen akuza kriminale.