Ish-Presidenti Sejdiu: Vdekja e Eliot Engel, humbje e madhe për Kosovën
Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për vdekjen e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar këtë humbje si jashtëzakonisht të dhembshme për Kosovën dhe popullin e saj.
Në mesazhin e tij ngushëllues, Sejdiu e përshkroi Eliot Engelin si një personalitet të rrallë dhe të papërsëritshëm, i cili gjatë gjithë jetës së tij publike ishte i përkushtuar me energji dhe vendosmëri në mbrojtje të Kosovës. Ai theksoi se Engel ishte një mik i madh i vendit, që qëndroi pranë Kosovës si në periudhat më të rënda të luftës, ashtu edhe në etapën e shtetndërtimit dhe të konsolidimit të pavarësisë.
Sejdiu rikujtoi takimet e shumta që kishte pasur me të ndjerin, duke vlerësuar qëndrimin e tij të palëkundur në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës.