Ish-eprori i UÇK-së për rastin e Vasfije Krasniqit: Nuk kishim mundësi ta parandalonim, na ka prekur të gjithëve
Shukri Kluna, ish-epror i UÇK-së, ishte i ftuar bashkë me Vasfije Krasniqin, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, në një emision në Klan Kosova.
Duke folur për rastin e zonjës Krasniqi, Kluna ka theksuar se ishte shokuese si rast kur kishte dëgjuar rrëmbimin e saj.
“Vërtetë ka qenë për neve shokues si rast sepse na ka prekur të gjithëve, fillimisht ndjenjat tona, dhe s’e kemi pasur fare të lehtë të ballafaqohemi edhe për nga eksperienca e edhe për nga emocioni…Momentin që e kemi marrë informatën që një vajzë në fshat u rrëmbye nga një grup paramilitaresh kriminelë, menjëherë kanë filluar reagimet e njësitit në tërë zonën duke u shpërndarë e duke grumbulluar informatat e para se ku mund ta dërgojnë zonjë Vasfije” – ka thënë ai.
Tutje, Kluna ka vlerësuar se “ishin në gjendje të bënim gjithçka për të parandaluar një akt të tillë”.
“Po ashtu na brente fakti tjetër, sepse babai i zonjës Vasfije, baca Shaip ka qenë një kohë pjesëtar i njësitit tonë, mirëpo për shkak të rrethanave atij i është dashur të zhvendosej për në Gjermani për ta siguruar kafshatën e gojës për familjen dhe në njëfarë mënyrë lëre që e kishim detyrë, por e kishim edhe një borxh ndaj tani të ndjerit, ish-kolegut tonë, dhe ishim në gjendje të bënim gjithçka për të parandaluar një akt të tillë, mirëpo nuk kishim mundësi aty për aty”, shtoi ai.