Ish-anëtari i VV-së vjen me një propozim si të ndalet greva në arsim
Opinionisti, Ylli Hoxha është menduar se si të vihet deri në një zgjidhje për ndërprerjen e grevës dhe fillimin e procesit mësimor.
Përmes bisede në një grup në Viber, ku anëtarë janë disa prindër, përfshi edhe Hoxhën, ai propozon një ide që e quante të “çuditshme”.
Hoxha mendon se prindërit duhet të organizohen për mbledhjen e një fondi që të kompenzohen 50 eurot shtesë për mësimdhënësit, karshi 50 eurove që ka ndarë qeveria.
“Mendoj që me 5 euro në muaj për nxënës, të cilat mblidhen vetëm nga ato familje që kanë mundësi, problem i fondit të pagesën e mësimdhënësve zgjidhet! Meqë kjo grevë don me u bo histori e nuk është se poi shihet fundi, mendoj që ia vlenë të diskutojmë për një iniciativë të tillë! Kushdo që mundet me diskutu me prindër të klasave tjera, kishte me bo shumë mirë”, shkruan Hoxha.
Kujtojmë se as pas takimit të kreut të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe kryeministrit Albin Kurti, nuk u gjetë zgjidhje për ta ndërprerë grevën, teksa palët vazhduan akuzat për njëra tjetrën.
