Irani thotë se nuk do të negociojë për kapacitetet e veta raketore - NACIONALE

Irani thotë se nuk do të negociojë për kapacitetet e veta raketore

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Kapacitetet raketore të Iranit janë vijë e kuqe për këtë shtet dhe nuk janë temë për t’u negociuar, tha të mërkurën një këshilltar i liderit suprem, përderisa Teherani e Uashingtoni synojnë një rund të ri të bisedimeve për ta shmangur konfliktin e armatosur.

Diplomatët amerikanë dhe iranianë mbajtën bisedime të tërthorta javën e kaluar në Oman, në kohën e një grumbullimi rajonal të forcave detare amerikane që e kërcënojnë Iranin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Kapacitetet raketore të Republikës Islamike janë të panegociueshme” – tha Ali Shamkhani, sipas mediave shtetërore, duke u paraqitur në një marsh për shënimin e 47-vjetorit të Revolucionit Islamik.

Uashingtoni për një kohë të gjatë ka synuar që t’i zgjerojë bisedimet bërthamore me Iranin në mënyrë që në to të përfshihet edhe programi raketor i Teheranit.

Irani ka thënë se është i përgatitur për të diskutuar rreth kufizimeve ndaj programit të vet bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, por në mënyrë të përsëritur e ka përjashtuar lidhjen e kësaj çështjeje me tema të tjera përfshirë raketat.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të shfrytëzojë një takim me Trumpin në Uashington të mërkurën për ta shtyrë përpara kërkesën që në ndonjë marrëveshje të mundshme ShBA – Iran të përfshihen edhe kufizime ndaj raketave iraniane.

Të dielën, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se programi raketor i Teheranit kurrë nuk ka qenë pjesë e agjendës së bisedimeve.

Lajme të ngjashme