Irani paralajmëron për kundërpërgjigje vendimtare ndaj çfarëdo sulmi
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, ka paralajmëruar se Teherani do të kundërpërgjigjej në mënyrë vendimtare ndaj çfarëdo sulmi ndaj territorit, interesave të tij ose ndaj shtetasve iranianë jashtë kufijve të vendit, raportuan të mërkurën mediat shtetërore.
Komentet e diplomatit iranian vijnë një ditë pas njoftimit të presidentit amerikan, Joe Biden, se ai ka vendosur se si t’i kundërpërgjigjet një sulmi me dron nga grupet e lidhura me Iranin, nga i cili u vranë tre ushtarë të ShBA-së, pa dhënë hollësi, raporton agjencia “Reuters”.
Disa pjesëtarë të Rojave Revolucionare të Iranit janë vrarë pas sulmeve izraelite në Siri. Pesë pjesëtarë të kësaj force u vranë më 20 janar, ndërsa dy të tjerë më 25 dhjetor të vitit të kaluar.
Të hënën, një sulm tjetër izraelit goditi atë që agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” e përshkroi si një “qendër ushtarake këshillëdhënëse iraniane” në Siri, duke vrarë dy persona, por ambasadori i Iranit në Siri refuzoi të jepte hollësi për shënjestrën e sulmit dhe tha se viktimat nuk ishin iraniane.
Më 15 janar, Irani e sulmoi atë që tha se ishte “seli qendrore spiunazhi” e Izraelit në rajonin gjysmautonom irakian të Kurdistanit.