Irani ka vendosur rreth 12 mina ujore në Ngushticën e Hormuzit, raporton “Reuters” me burime
Irani ka vendosur rreth 12 mina në Ngushticën e Hormuzit, thanë dy burime të afërta me çështjen. Ky veprim pritet ta ndërlikojë procesin e rihapjes së rrugës së ngushtë detare, zonë e rëndësishme për dërgesat e naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar.
Eksportet e naftës dhe gazit të lëngëzuar natyror përmes Ngushticës së Hormuzit, buzë bregdetit të Iranit, praktikisht janë ndaluar nga lufta që u nis para 12 ditëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, duke ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Komanda ushtarake e Iranit tha të mërkurën se bota duhet të jetë e përgatitur që çmimi i naftës të shkojë në 200 dollarë për fuçi.
Një burim tha se vendet e shumicës së minave ujore që janë vendosur janë të ditura, por refuzoi të tregonte se si planifikojnë Shtetet e Bashkuara që të merren me to.
Ushtria amerikane thotë se ka goditur anije iraniane që përdoreshin për vendosjen e minave, duke eliminuar 16 sosh të martën. Megjithatë, marina amerikane deri më tani ka refuzuar që të ofrojë përcjellje mbrojtëse për anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën kërkoi që Irani menjëherë t’i largojë minat e vendosura potencialisht në ngushticë dhe tha se ky shtet do të ballafaqohet me pasoja ushtarake, pa i saktësuar ato, nëse nuk bën një gjë të tillë.