Irani e paralajmëron Bullgarinë kundër mbështetjes së operacioneve ushtarake amerikane - NACIONALE

Irani e paralajmëron Bullgarinë kundër mbështetjes së operacioneve ushtarake amerikane

2 orë më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit e paralajmëroi Bullgarinë të martën që të mos e lejojë ShBA-në ta përdorë territorin e saj për operacione ushtarake kundër Iranit.

Qeveria bullgare ka thënë se do të kërkojë miratim nga Kuvendi për të stacionuar deri në tetë aeroplanë amerikanë për rimbushje me karburant në një bazë ajrore në shtetin ballkanik, i cili është anëtar i NATO-s dhe BE-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha se çfarëdo aktiviteti që i lehtëson sulmet e forcave amerikane ndaj Iranit do të përbënte bashkëfajësi në atë që ai e përshkroi si “agresion dhe krime lufte”, sipas mediave shtetërore iraniane.

Baghaei i bëri thirrje Bullgarisë që të mos bëhet “bashkëfajtore e agresorëve dhe shkelësve të ligjit”, sipas këtyre mediave.

Aeroplanët cisternë zakonisht përdoren për të rimbushur aeroplanë të tjerë në ajër, gjatë fluturimit.

Qeveria bullgare synon që t’i stacionojë aeroplanët amerikanë në bazën ushtarake “Bezmer”, rreth 260 kilometra në juglindje të kryeqytetit Sofje.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani i kanë shpeshtuar sulmet, pasi një marrëveshje për armëpushim të përkohshëm, e nënshkruar para një muaji, kolapsoi, duke e ngritur mundësinë për rikthim në luftë të plotë mes dy vendeve.

Lajme të ngjashme