Iraku mund të shtyhet drejt konfliktit, paralajmëron kryediplomati irakian
Ministri i Jashtëm i Irakut, Fuad Hussein, ka thënë në një intervistë me televizionin BBC se vendi i tij mund të shtyhet drejt konfliktit nga sulmet hakmarrëse ndaj territorit të tij nga grupet e përkrahura nga Irani dhe forcat amerikane.
“Tensioni ditëve të sotme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është shumë i lartë. Shpresoj që të dyja palët do t’i ndalin sulmet e tyre. Ato nuk do ta zgjidhin problemin e tyre në tokën irakiane. Ne paguam një çmim shumë të lartë” – tha ai, raporton televizioni BBC.
Kryediplomati irakian tha se duhet të rinisin bisedimet për tërheqjen e 2.500 ushtarëve amerikanë nga vendi i tij, ku ishin vendosur si këshilltarë më 2014 për ta ndihmuar parandalimin e rikthimit të ISIS-it. Fjalët në qeveri dhe në rrugë janë se ata kanë qëndruar tepër.
“Shumica e popullit irakian nuk dëshiron që të ketë forca të huaja në tokën irakiane. Ata që janë ftuar [amerikanët], do ta bëjmë këtë përmes bisedimit. E ata që nuk janë ftuar, duhet të largohen, shpresojmë gjithashtu përmes bisedimit” – shtoi ministri Hussein.
Nga një valë e sulmeve ajrore të ShBA-së janë vrarë 17 luftëtarë të grupeve të armatosura pro-iraniane ditëve të fundit. Pastaj ndodhi një sulm vdekjeprurës me raketë ndaj një komandanti të militantëve, Abu Bakir Al Saadi.
Sulmet amerikane ishin hakmarrje për vrasjen e tre ushtarëve të ShBA-së në Jordani. Ushtria amerikane thotë se “do të vazhdojë që të ndërmarrë veprime të nevojshme” për t’i mbrojtur njerëzit e vet.