IPK rekomandon suspendimin për katër zyrtarë policorë në Suharekë - NACIONALE

IPK rekomandon suspendimin për katër zyrtarë policorë në Suharekë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Suharekë, përfshirë një toger, një rreshter dhe dy zyrtarë të tjerë, nën dyshimet për moszbatim të një vendimi të Gjykatës Themelore në Prizren.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetimet janë iniciuar me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe kanë të bëjnë me një rast ku dyshohet se zyrtarët policorë nuk kanë zbatuar urdhrin gjyqësor për ta zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me paraburgim ndaj dy personave të dyshuar – njëri për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa tjetri për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

“Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore ne Prizren në lidhje me moszbatimin nga zyrtarët policorë të një aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prizren. Gjykata me aktvendim kishte urdhëruar ndërprerjen e arrestit shtëpiak dhe zëvendësimi me paraburgim ndaj një dy pandehurve, njëri i dyshuar për veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve kurse tjetri i dyshuar për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale.”

“Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë veprime hetimore ndaj katër zyrtarëve policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore ne Prizren me dyshimin për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo të autoritetit zyrtar dhe veprën penale mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore.”

Lajme të ngjashme