Internisti Driton Vela ngre dyshime se mjekët po abuzojnë me barnat e shtrenjta
Në Kosovë shpeshherë ka mungesa të mëdha të ilaçeve, madje edhe të atyre të Listës Esenciale. E me mungesë të ilaçeve po ballafaqohen edhe në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së.
Imunoterapia shpeshherë mungon në këtë klinikë.
E internisti Driton Vela ka ngritur dyshime për punën e mjekëve duke aluduar në onkologë, se po u japin pacientëve imunoterapi pa indikacion.
Vela, i cili është specialist i internos, ka shkruar në profilin e tij në Facebook për përdorimin e imunoterapisë, e cila zbatohet te pacientët e sëmurë me kancer.
Ai ka ngritur dyshime se mjekët po e keqpërdorin këtë terapi të shtrenjtë duke e administruar te pacientët pa i respektuar indikacionet.
“Nëse imunoterapia në Kosovë është aprovuar për indikacion të caktuar, e në anën tjetër (keq)përdoret për një mori indikacionesh tjera nga numër i vogël i mjekëve për një kohë të shkurtër pa kurrfarë kontrolli, atëherë sigurisht që buxheti për këto barna harxhohet në tërësi. -Shtrohet pyetja ku e kanë hallin këta mjekë që kaq shpejt e pa i respektuar indikacionet e kanë harxhuar kaq shpejt buxhetin e shtetit për barna kaq të shtrenjtë”, ka shkruar Vela.
Ai ka thënë se në shumë shtete të botës, imunoterapia është luks.
“Imunoterapia është lluks për shumë shtete të botës për shkak të kostos, për këtë arsye indikacionet për përdorimin e kësaj terapie duhet të respektohen me rigorozitet. -Qasje të gjerë me mbi 15 indikacione në imunoterapi kanë një numër i kufizuar i shteteve në Evropë (si Gjermania, Austria, Zvicra, Holanda, Belgjika, Luksemburgu)”, shkruan Vela.
Driton Vela është përmendur si emër i mundshëm për ta udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë pas dorëheqjes së ish-ministrit Rifat Latifi.
Vela për Nacionalen, kur është pyetur se a ka oferta për pozitën e ministrit, nuk ka dhënë koment, duke mos pohuar po ashtu se do të negociojë për këtë pozitë.