Institut GAP, Qeveria: Miratimi i Projektbuxhetit u bë në mënyrë kundërkushtetuese
Institut GAP i reaguar qeverisë në detyrë, e cila sot në një mbledhje e ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2026.
Ky institut ka vlerësuar se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas GAP, projektligji nuk është dashur të nënshkruhet nga kryeministrit në detyre dhe ministri në detyrë i Financave, të cilët janë edhe deputet.
“Si vazhdimësi e Letrës dërguar Presidentës së Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu, dhe marrë parasysh mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë, duam të sqarojmë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës. Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë. Megjithatë, siç kemi theksuar dhe në Letrën e dërguar, ky proces do duhej të zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet”, është thënë në reagim.
Në reagimin e institut ka treguar se kush është dashur ta nënshkruaj këtë projektligj.
“Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartëcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë. Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vet ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot. Në këta fazë të ndjeshme politike, respektimi i rendit kushtetues dhe vendimeve gjyqësore është thelbësor për te ruajtur stabilitetin institucional dhe për të garantuar që procesi i miratimit të buxhetit mbetet i ligjshëm. Çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit por edhe vet parimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, ka vlerësuar instituti GAP.