Inflacion 14.1%, Avdullah Hoti: Nuk ndalemi, do t'i kërkojmë Qeverisë Kurti llogaridhënie
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin qershor të këtij viti.
Ajo që bie në sy në këtë raport është natyrisht trendi i rritjes së çmimeve i cili në krahasimin me muajin e njëjtë të vitit 2021, ka arritur shfiren 14.1 për qind.
“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, thuhet në raport të ASK-së.
Për këtë ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili në një prononcim për Nacional ka thënë se për këtë do të mbajnë përgjegjësi liderët e vendit dhe nuk do të ndalen derisa të merren masa konkrete.
“Nuk do të ndalemi. Do ta mbajmë përgjegjëse qeverinë dhe mazhorancën për mosmarrjen e asnjë veprimi për të zbutur krizën nga rritja e çmimeve”, tha Hoti.