Imamët Musliu e Jashari: Rrahja e hoxhës së fshatit Lupç ishte tinëzare dhe brutale - NACIONALE

Imamët Musliu e Jashari: Rrahja e hoxhës së fshatit Lupç ishte tinëzare dhe brutale

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Për imamët e Kosovës, Bekim Jashari dhe Osman Musliu, sulmi ndaj hoxhës së fshatit Lupç, Zeqir Berisha, ka qenë tinëzar dhe brutal.

Sipas tyre, për këtë sulm duhet të reagojnë institucionet përgjegjëse, pasi është një goditje e rëndë ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Ky sulm është tinëzar, brutal dhe goditje ndaj institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës”, ka thënë Bekim Jashari, kryeimam i Komunës së Podujevës

Jashari ka thënë se për këtë sulm nuk dihen ende se cilat janë arsyet, pasi që Hoxha siç thotë ai, ishte në krye të detyrës së tij duke shkuar në namazin e jacisë.

Ai u sulmua nga persona të paidentifikuar, janë tre persona të arrestuar, nuk mund të targetojmë askënd”, ka thënë Jashari në RTV Dukagjini.

Për Jasharin, ky sulm është një goditje tinëzisht pas shpine dhe tendencë e një akti të rrezikshëm.

Ai ka thënë se për këtë sulm, dënimin mund ta konkludojnë organet e drejtësisë.

“Për motivet nuk mund të themi diçka konkrete, janë organet e drejtësisë që e kryejnë punën e tyre”, ka shtuar Jashari.

Sipas tij, Llapi mbetet në vijimësi kundër këtij radikalizmi, siç është shprehur ai “anijet e errëta do të fundosen në Llap”.

“Hoxha i Lupçit njëherë ka shërbyer në Vlorë, në Gllamnik, pastaj është transferuar në Lupç. Hoxha pasi është ankuar nga këta persona ka bërë përpjekje për të qetësuar situatën, jo të kontribojë në këtë formë për të nxitur dhunë”, tha ai.

Ndërsa Osman Musliu, imam nga Drenica, për hoxhën Zeqir Berisha ka thënë se është i ndershëm dhe i sjellshëm, prandaj këtë ngarje e ka quajtur të rëndë, e cila kohëve të fundit, ka shkaktuar frikë edhe te hoxhallarët e tjerë në Podujevë.

Osmani deklaroi se situatë të tillë ka pasur edhe personalisht në Xhaminë në të cilën ka shërbyer.

“Asnjëherë nuk kam pasur probleme personale për të cilat jam sulmuar, por vetëm janë munduar të më pengojnë në Xhami”, ka vijuar Musliu.

Musliu ka shtuar se këto gjëra negative dhe radikaliste nuk po mbrohen nga BIK dhe nga shteti, prandaj ai ka kërkuar reagim nga ana e instucioneve përgjegjëse për këtë situatë.

Lajme të ngjashme