IKD publikon raportin: Me ligjin e ri, KPM-ja rrezikon të politizohet nga secila qeveri
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar hulumtimin rreth Projektligjit për KPM-në.
Hulumtuesi i Lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka thënë se dispozitat që kanë të bëjnë me procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së mundësojnë partinë në pushtet që lehtësisht ta politizoj atë.
Në këtë situatë ai tha, se Projektligji e ka lehtësuar politizimin e KPM-së përmes përzgjedhjes së anëtarëve të saj.
“Secila Qeveri e ka të paktën shumicën absolute në Kuvend, pa të cilën nuk mund të qëndrojë. Ndërsa, për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë e votave. Potencialisht, një anëtar i KPM-së mund të zgjidhet më 31 vota. Për këtë arsye, Projektligji për KPM në mënyrë të hapur lë mundësinë e politizimit të këtij institucioni për secilën Qeveri”, u shpreh Shala.
Shala tha se Ligji për KPM nuk ka përcaktuar asnjë standard adekuat sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së. Ai mori shembull përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku ligji përcakton themelimin e një komisioni të posaçëm me përfaqësues ndërinstitucional, i cili komisioni i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar.