Identifikohen tri viktima nga varrezat masive në Zubin Potok, lidhen me "Grupin e Intelektualëve"
Tri viktima janë identifikuar pas gjetjes së mbetjeve mortore në Zubin Potok.
Kjo është bërë me dije nga kryeministri Albin Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
“Në nisje të vizitës sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u njoftova nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe mënjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara”, ka thënë ai.