“Identifikimi nuk bëhet shpejt”, Isufaj nga vendi i gërmimeve: Deklarimet publike mund ta dëmtojnë hetimin
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, se bashku me Prokuroren e rastit, Florije Shamolli, kanë vizituar vendin ku po kryhen gërmimet në Zubin Potok për dyshimet se mund të ketë mbetje mortore të civilëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Isufaj ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe ekipin e Mjekësisë Ligjore, që, siç tha, po bëjnë punë profesionale për identifikimin e këtyre mbetjeve mortore, të cilat është vërtetuar se u përkasin njerëzve.
Ai tha se ky proces mund të zgjasë dhe se nuk dihet se kur përfundon, pasi që merr kohë identifikimi i secilit trup përmes ADN-së.
“Po, gërmimet kanë filluar. Së pari, dua ta shfrytëzoj rastin për ta falënderuar Policinë e Kosovës për punën e madhe që kanë bërë, njëkohësisht duke i falënderuar edhe kolegët e mi, prokurorët specialë dhe stafin. Sigurisht që falënderimi shkon edhe për ekipin e Mjekësisë Ligjore, i cili është duke bërë një punë profesionale për identifikimin e atyre mbetjeve mortore, të cilat deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë dhe nuk mund të themi se kur do të përfundojë. Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standarde për marrjen dhe identifikimin e secilit trup përmes ADN-së”, tha Isufaj para mediave nga vendi ku po bëhen gërmimet.
Ai tutje tregoi edhe procesin e vështirë që i pret ekipin e Mjekësisë Ligjore, pasi, siç tha ai, duhet të bëhet së pari rekonstruktimi i trupit.
Ndërsa ka shtuar se duhet të ketë kujdes me deklarimet publike, pasi që mund ta dëmtojnë procesin e hetimit dhe të devijojnë rezultatin përfundimtar.

Ai theksoi se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale, të paanshme dhe të pavarura, me qëllim të respektit ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.
“Mirëpo, këto mbetje nuk mund të tërhiqen aq lehtë, sepse paraprakisht duhet të rekonstruktohet trupi i njeriut e pastaj të dërgohet në Mjekësinë Ligjore, për të vazhduar më tej me procedurat e tjera. Ajo çka mund të them sot para jush është se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale, të paanshme dhe të pavarura, me qëllim të respektit ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre. Unë edhe më herët kam bërë thirrje që të mos deklarohemi shumë për këtë rast, sepse gjithçka është ende herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit, e natyrisht mund ta devijojnë edhe rezultatin përfundimtar”, tha Isufaj.